Futbollisti i shkëlqyer nga Dollogozdha, Atdhe Mazari, i bashkohet Kombëtares Shqiptare

Kombëtarja U-17 e Shqipërisë, që udhëhiqet nga trajneri Xhemal Mustedanagiç nga data 19-25 tetor do të jetë nikoqir i një turneu zyrtar të UEFA-s, të vlefshëm për kualifikueset e kampionatit Europian të kësaj grupmoshe.

Në këtë turne përveç Shqipërisë do të marrin pjesë edhe kombëtaret e Spanjës, Kroacisë dhe Lihtenshtejnit, ndërsa sot trajneri boshnjak i “kuqezinjëve” ka bërë të ditur edhe listën e futbollistëve të ftuar për këtë turne.

Në mesin e futbollistëve të ftuar bënë pjesë edhe super talenti strugan, Atdhe Mazari, i cili aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së Pelisterit nga Manastiri. Ai shprehet shumë i kënaqur që sërish i ka ardhur ftesa nga ana e Kombëtares shqiptare, për të cilën skuadër çdo herë luan me zemër.

Jam shumë, shumë i kënaqur me ftesën e bërë nga ana e trajnerit Mustedanagiç.  Shpresoj të shfrytëzoj rastin dhe të dëshmojë cilësitë e mia edhe në këtë turne, ku përballë do të kemi kundërshtarë të fuqishëm. Megjithatë edhe përkundër emrave të mëdhenj që do kemi përballë, unë personalisht besoj në rezultate pozitive ndaj Spanjës, Kroacisë dhe Lihtenshtejnit” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, talentu strugan Atdhe Mazari.

Ai iu kishte rënë në sy drejtuesve të Kombëtares gjatë disa turneve të grupmoshës së tij, ku ishte treguar si një lider i vërtetë i ekipit të Pelisterit, duke dëshmuar intelegjencën e tij si në organizim të aksioneve,  poashtu edhe në shënimin e golave.

Atdhe Mazari i takon gjeneratës 2001, ndërsa është kjo hera e dytë që ai ftohet në kombëtaren “kuq e zi”, duke pasur parasysh se ishte pjesë e saj edhe në shtatorin e vitit të kaluar kur morri pjesë në një turne të organizuar në Kazakistan, ndërsa gjithashtu ishte pjesë e saj edhe gjatë grumbullimit në muajin qershor të këtij viti në Elbasan.

Ndryshe Atdhe Mazari karrierën e tij e kishte filluar në vendlindje te skuadra e Karaormanit nga Struga. Për një vit kishte qenë edhe pjesë e Shkëndijës, ndërsa tashmë gati një vit e gjysmë mbron ngjyrat e skuadrës së Pelisterit, ku është njëri ndër futbollistët më të dalluar.

/Strugaekspres

About the author