Flet Presidenti i Zyrihut: Ja pse nuk u largua Sadiku

Presidenti i Zyrihut, Ançilo Kanepa, ka folur përsëri për situatën e Armando Sadikut, i cili kërkoi me ngulm të largohej nga radhët e klubit zviceran gjatë verës, por në fund u detyrua të qëndronte për të luajtur në kategorinë e dytë zvicerane.

U përfol sikur pengesa kryesore ishte çmimi prej 9 milionë eurosh që klubi i kishte vënë kartonit të lojtarit, por Kanepa ka sqaruar situatën e krijuar. “E vërteta është se ne kurrë nuk deshëm që të largonim Sadikun. Kishte disa interesime, por asnjë ofertë konkrete.

Unë nuk di asnjëherë të jetë përmendur ndonjë shifër. Ne na duhet ky lojtar, do të na ndihmojë të ngjitemi shpejt”, tha ai për “Blick”.

I ngacmuar se futbollisti nuk kishte festuar pas golave të tij të parë në këtë sezon në kategorinë e dytë, presidenti i Zyrihut ka shpjeguar se ka besim të plotë te përkushtimi i sulmuesit shqiptar. “Armando është stërvitur me përkushtim të plotë dhe tani shënon rregullisht gola.

Në ndeshjen e fundit, kundër Shafhauzen, duhej ta shihnit se sa shumë festoi pas golit që shënoi. Përveç të tjerave, në bisedat që kam zhvilluar me të, ai është shfaqur gjithmonë pozitiv. Fakti që ai ka ambicie për të luajtur jashtë Zvicrës është më se i kuptueshëm”, theksoi Kanepa.

Sadiku është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për Zyrihun, aq sa trajneri Uli Forte vendosi ta linte pushim për ta kursyer për ndeshjet e mesjavës, meqë klubi luan në Ligën e Europës. Në takimin e sotëm të zhvilluar kundër Kiasos dhe të fituar me shifrat 1-0 nga Zyrih, Sadiku dhe Kukeli e filluan ndeshjen nga stoli. Mesfushori u aktivizua në minutën e 76 kurse sulmuesi në minutën e 84.

About the author