Festoi me flamurin kuq e zi në Belgjikë, flet talenti Selahi: Maqedonia s’më intereson por…

Një histori sa interesante, aq edhe rrëqethëse ka familja e talentit të madh shqiptar, Lindon Selahi që mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Mbreti Boduen” festoi triumfin e skuadrës së tij Standard Liege ndaj Genk (1-0) në finalen e kupës së Belgjikës.
Selahu (19 vjet) edhe pse nuk luajti asnjë minutë festimin e fitores e bëri në mënyrë të veçantë, duke dëshmuar origjinën.
Familja Sellahi është me prejardhje nga Kumanova e Maqedonisë. Gjyshërit e tij para 60 viteve kanë emigruar në Turqi. Mirëpo, jeta në tokën e premtuar nuk iu kishte pëlqyer dhe pas 4-5 vitesh vendosin që të largohen. Janë shpërngulur në Namyr të Belgjikës, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Në Namyr ka lindur edhe babai i Lindonit. Edhe pse të lindur në këtë qytet familja Selahu ka arritur të ruaj gjuhën dhe traditat shqiptare, një amanet i gjyshit të tij. Gazeta Lajm ka kontaktuar lojtarin, i cili dha një intervistë ekskluzive për lexuesit tanë.

Lajm:Lindon, na tregoni si ka nisur karriera juaj?
Lindon Selahi: Unë me futboll kam nisur të merrem që nga mosha 7-vjecare. Fillimisht në Namyr, pastaj kalova në Akademitë e shkollave të futbollit në Standard Liege dhe Anderlecht. Pastaj pas dy vitesh u ktheva sërish në Standard ku jam edhe sot. Kam luajtur për të gjitha ekipet zinxhirë të Standardit. Nga nëntori i vitit 2017 jam pjesë e ekipit të parë dhe tani po pres të debutoj në një ndeshje zyrtare në kampionatin belg.

Lajm:Cili është pozicioni juaj në fushë?
Lindon Selahi: Luaj mesfushor.

Lajm:Të dielën në mbrëmje me Standardin fituat kupën belge. Ju nuk luajtët, por festuat me flamur kombëtar. Si ishte ndjenja?
Lindon Selahi:Fitorja në kupë ishte objektiv i klubit, pasi tani kemi siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Europës. Unë nuk luajta, isha në pankinë dhe prisja rastin. U gëzova që fituam kupën. Isha mjaftë i emocionuar. Është trofeu im i parë me Standardin. Pas përfundimit të ndeshjes mora flamurin kombëtar dhe festova në fushë. Ishte një mbrëmje e paharrueshme.

Lajm:Me që jeni të lindur në Belgjikë, keni luajtur për grupmoshat e reja të Belgjikës?
Lindon Selahi: Kam qenë pjesë e grumbullimit të fundit me Belgjikën U19.

Lajm: Po nga FSHF-ja keni pasur ndonjë kontaktë?
Lindon Selahi: Me Shqipërinë kemi pasur kontakte më herët, ndërsa muajt e fundit jo. Tani jam i koncentruar te Standardi.

Lajm:Po, cilën Kombëtare do ta kishit zgjedhur:Belgjikën, Maqedoninë, apo Shqipërinë?
Lindon Selahi: Unë kam vetëm shtetësi belge. Maqedonia nuk më intereson, por vetëm Shqipëria ose Belgjika. Mirëpo, tani nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam folur me trajnerin e ekipit U21, dhe as me trajnerin e kombëtares së Shqipërisë.

Lajm:Lojtari yt i preferuar?
Lindon Selahi: Modric dhe Kroos janë futbollistët e mi të preferuar.

Lajm:Për fund ndonjë dëshirë?
Lindon Selahi: Dëshira ime është që në fund të sezonit me Standardin të kualifikohemi në play-off të Belgjikës dhe të jem pjesë e skuadrës.

RESHAT IBRAHIMI /lajm

About the author