FC Prishtina Fiton Kupen dhe Siguron Daljen ne Europe

image

Prishtina është fituese e Digitalb Kupës së Kosovës për edicionin 2015/16, duke siguruar në këtë mënyrë edhe daljen historike në Evropë në kualifikimet në Europa League. Në ndeshjen finale, që u zhvillua sot, në një atmosferë të shkëlqyeshme në Stadiumin e Qytetit në kryeqytet, Prishtina arriti ta mposhtë Dritën, me rezultat 2:1. Numri i madh i tifozëve dhe spektakli që dhuruan të dy grupet e tifozëve “Intelektualët” dhe Plisat” i dhanë hijeshin e duhur kësaj finale, ndërkohë që edhe loja, angazhimi dhe sjellja e lojtarëve të dyja skuadrave ishte për lakmi. Prishtina e nisi mirë ndeshjen dhe pati qarkullimin e topit, por ishte Drita që shënoi e para dhe e mbylli pjesën e parë në epërsi, me golin e shënuar nga Qendrim Sejdiu në minutën e 30-të, pas asistimit të shkëlqyeshëm të Xhevdet Shabanit. Megjithatë, në pjesën e dytë Prishtina mbizotëroi plotësisht dhe si rrjedhojë e presionit të vazhdueshëm në portën e gjilanasve arriti të përmbysë rezultatin. Ishte sulmuesi ganez, Basit Abdul Khalid, i cili e zëvendësoi Berat Hysenin, që i dhuroi Prishtinës këtë trofe, duke shënuar dy gola. Fillimisht në minutën e 70-të Khalid shënoi me kokë pas harkimit të Endrit Krasniqit, kurse në minutën e 76-të sulmuesi nigerian zgjati mjaft mirë këmbën para një mbrojtësi gjilanas dhe e dërgoi topin në rrjetën e Betim Halimit për herë të dytë. Paraprakisht Prishtina pati një rast të mirë shënimi në minutën e 63-të, por gjuajtja akrobatike e Kreshnik Lushtakut qëlloi shtyllën. Në anën tjetër, Drita pas pësimit të dy golave u mundua të kthejë baraspeshën në rezultat, por nuk ia arriti këtij qëllimi, ndonëse pati një mundësi shumë të mirë në minutën e 80-të, kur Armend Kastrati nuk e dërgoi topin në rrjetë nga 5-6 metra. Kësisoj, Dritës tashmë i mbetet të përqendrohet në një tjetër sfidë të rëndësishme, atë të barazhit kundër Flamurtarit për mbetje në Raiffeisen Superligë, që e zhvillon më 2 qershor, derisa Prishtinës i duhet të përgatitet për kualifikimet e Ligës së Evropës. Medaljet për të dyja skuadrat finaliste i ndanë sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe nënkryetarët e FFK-së, Agim Ademi e Bekim Haxhiu, derisa kupën kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqi ia dorëzuan nënkryetari, Agim Ademi dhe drejtori i Digitalbit për Kosovë, Jonader Bejo.

About the author