Nëse doni të përkufizohet gjithë sezoni i Napolit me Ançelotin? Një dështim! Trajneri kampion erdhi me shumë bujë pas eksperiencave të mëparshme dhe historisë që ka bërë, por te napolitanët, është për t’u harruar sa më shpejt.
Kampionati në Itali u “vra” përpara kohe, ndërsa sot eliminohet edhe nga “Europa League”, pasi Arsenali fitoi në transfertë me rezultatin 0-1. Ndeshja e parë ishte mbyllur në shifrat 2-0 për anglezët, duke mos i lënë as edhe një shpresë të vetme italianëve.
Sigurisht që pakkush mendonte se Napoli mund të fitonte kampionatin në Itali, pas asaj skuadre që ndërtoi Juventusi i Alegrit. Megjithatë ai dorëzim i lehtë aq shumë javë përpara mbylljes së kampionatit, tregoi nivelin e dobët të ekipit. Te Napoli ishin mësuar që ëndrrat të zgjasnin më shumë minuta, ndërsa Ançeloti ishte për një zgjim të hershëm nga gjumi.
Idetë që trajneri ka dhënë në skuadër gjithashtu janë shumë konfuze, me mbrojtësat e krahut që ndërroheshin në çdo ndeshje. Hysaj, Malkuit, Rui, Maksimoviç(mbrojtës qendre roli natyral) dhe Ghoulam së fundmi luanin të gjithë në krahët e mbrojtjes me Ançelotin, duke i kombinuar dhe ndryshuar në çdo takim.
Madje shkodrani ka bërë edhe shumë herë rolin e mbrojtësit të majtë, edhe kur në ekip nuk kishte raste emergjente. Duke parë që ndaj Arsenalit ishte thuajse e pamundur të kualifikohej, nisur nga ndeshja e parë, Ançeloti mendoi plotësimin e dëshirës së tifozëve. Këta të fundit mendojnë se Rui dhe Hysajn janë e keqja e skuadrës.
Deri në minutën e fundit, në mediat italiane u raportua se Rui dhe Hysaj do të ishin titullarët e ndeshjes me anglezët, por Ançeloti ndryshoi gjithçka në fund, si për t’u justifikuar në këtë drejtim me tifozët. Çfarë ndodhi? Napoli humbet dhe nuk duket askund në fushë, por kujdes sepse tani do të thonë: “Ishte faji i Elseid Hysajt, sepse shqiptari rri keq te stoli”. /Shqiperia.ch/