You are here
Home > Boks > Ekskluzive/ “Tysoni shqiptar” rrëfen gjithçka: Flas me vepra, pa Shqipërinë nuk do të isha këtu

Ekskluzive/ “Tysoni shqiptar” rrëfen gjithçka: Flas me vepra, pa Shqipërinë nuk do të isha këtu

Të gjithë e thërrasin “Tysoni shqiptar” dhe me shumë të drejtë madje. Nuri Seferi është një nga sportistët shqiptarë, që gjithmonë e ka mbajtur lart flamurin kuqezi në arenat e boksit, duke triumfuar ndaj kundërshtarëve të tij.

Përtej statistikave, ajo që duhet theksuar dhe shumë madje, është dashuria e këtij njeriu karshi simboleve tona. Shpeshherë keni dëgjuar për lojtarët, basketbollistët, apo sportistët në përgjithësi, që zgjedhin të mos përfaqësojnë vendin tonë për pjesën monetare, me të drejtë deri diku, por kjo histori ka një natyrë tjetër.

Sponsor zviceranë kanë kërkuar nga Nuri Seferi që ky i fundit të heq flamurin e Shqipërisë në shkëmbim të parave, por nuk ishte e nevojshme që oferta të mendohej më gjatë: “Jo, nuk e bëj”. Një duel të jashtëzakonshëm ka ky boksier në datën 25 maj, pasi do të ndeshet ndaj Kai Kurwaha, një boksier gjerman që është nga më të njohurit.

“Shqiperia.ch” ka zhvilluar një intervistë me Nuri Seferin, ndërsa nuk duhet të harrohet se “N.S  Boxpromotion” vjen edhe më të tjera duele në mbrëmjen e 25 majit, pasi do të zbres në ring edhe një tjetër boksier shqiptar, Arnold Gjergjaj.

Një rikthim pas një kohe të gjatë rehabilitimi. Pyetja e parë dhe ajo që ka më shumë rëndësi, si ndihet fizikisht Nuriu?

Po është e vërtet që kam pasur një kohë pushimi relativisht të gjatë, por njëkohësisht më ndihmoi që të reflektoja për atë që unë duhet të arrij në të ardhmen. Gjithsesi, jam rikuperuar tërësisht dhe fizikisht, ndihem vërtet shumë mirë.

Ndërkohë ndeshja me kundërshtarin e rradhës Kurzawa afron gjithmonë e më shumë. Si kalon për ty një ditë rutinë, ndërkohë që përgatitesh për arenën e dyluftimit?

Si gjithmonë ditët e mia para ndeshjes janë shumë intensive. Kryesisht pjesën më të madhe e kaloj vetëm duke u stërvitur, ndërsa ajo kohë e mbetur, sigurisht që pranë familjes sime.

Nuriu është një boksier që më shumë merret me perfeksionimin e vetvetes, apo nuk mund të qëndroj pa studiuar edhe detajet më të vogla të kundërshtarit para ndeshjes? Kjo pasi në rastin e Kurzaëas flitet për një nga boksierët më të mirë gjerman.

Unë si boksier kam shumë vite karrierë, gjë kjo e cila të ndihmon që të kesh edhe më shumë intuit përsa i përket zgjedhjes së kundërshtarin. Kurzawa është një super boksier, por kjo e bën ambicien time për fitore edhe më të madhe.

N.S Boxpromotion vjen edhe me emra të tjerë boksierësh, ku përmendet edhe Arnold Gjergjaj. Si shkojnë punët dhe sa entuziazëm ka për një fitore të mundshme në atë mbrëmje madhështore?

Të gjithë boksierët që hyn në ring, në mendjen e tyre kërkojnë vetëm që të fitojnë, pavarësisht se mund të dalësh edhe i humbur. Kështu është në luftë, gjithmonë vetëm dikush do të fitojë. Sa i përket pyetjes, si unë edhe Arnoldi jemi të përgatitur vetëm që të dalim me triumf.

Gjithmonë në sport shqiptarët janë përballur me histori të mbushur me tradhëti, por e jotja është vetëm dashuri dhe përkushtim. Çfarë përfaqëson për ty flamuri shqiptar dhe e gjitha kjo besnikëri që ke treguar karshi këtyre ngjyrave?

Atë që përfaqëson për mua flamuri shqiptar, unë e kam treguar me vepra në gjithë këto vite. Prandaj mendoj se nuk është e duhur që ta artikuloj me fjalë sërish. Po jam akoma krenar që ngre flamurin tonë kudo në botë, sepse pa atë nuk do të isha ky që jam sot.

Nofka jote është ndryshe edhe Tajsoni shqiptar. Kush ka qenë njeriu i parë që të ka vendosur këtë emërtim?

Ky epitet më ka ngelur që në boksin amator, sepse i rrëzoja kundërshtarët gjithmonë në tokë me raundin e parë, me “nock-out”. Që atëherë më thërrisni “Tyson”.

Boksi përveçse një sport fizik, është gjithashtu edhe psikologjik. Ka ndodhur shpeshherë që kundërshtarët të provokojnë duke ofenduar origjinën tonë?

Ka raste edhe më ekstreme që kanë ndodhur edhe gjëra të tilla. Po ne shqiptarët jemi një popull me shumë vlera dhe provokime të tilla i injoroj dhe nuk më prekin aspak.

Nëse përballe teje do të kishe mundësinë e zgjedhjes mes një armiku të hershëm të shqiptarëve dhe politikanëve tanë, që e kanë zbrazur gjithmonë e më shumë vendin tonë. Kujt do ia jepje goditjen për nock-out?

Pa koment! /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top