You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Rrëfimi i babait të Rashicës: E përjetuam keq ndarjen, Shqipërinë e ka gjithmonë në zemër

Ekskluzive/ Rrëfimi i babait të Rashicës: E përjetuam keq ndarjen, Shqipërinë e ka gjithmonë në zemër

Pavarësisht sesa e pamundur mund të duket, ëndrrat gjithmonë bëhen realitet, nëse në to investohet një dëshirë e madhe, me po aq punë në të. E si mund të ishte e lehtë, që një djalosh i rritur në Kosovë, në futbollin e atij vendi që ende nuk ishte pranuar nga organizmat më të lartë, të shkonte deri në Bundesligën gjermane?

Askush nuk mund të vendoste një bast të tillë, të gjithë do e quanin një çmenduri. Por ja që Rashica ia doli dhe gjithmonë kur gjermanët, holandezët e tifozë të shtetësive të ndryshme bëhen gati për të duartrokitur perlat e shqiptarit, ky i fundit ngre duart për të formuar shqiponjën.

Shqipëria? Dashuri “e verbër”, e ardhur nga familja e tij. Mediat tona sportive, që “e duan” më shumë këtë vend, shpeshherë janë munduar të sulmojnë Rashicën, sa i përket vendimeve të caktuara në karrierën e tij. Megjithatë, ky njeri e do flamurin kuqezi, më shumë se të gjithë ne të marrë së bashku.

Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, babai i Milotit, Nexhmedin Rashica ka treguar për historinë e djalit të tij:

Sa e vështirë ka qenë për ju si baba, që Miloti të mbërrinte deri në këtë pikë të karrierës?

Nuk ka qenë shumë i lehtë i gjithi ky rrugëtim, megjithatë Milotit kam arritur t’ia plotësoj kushtet, pasi falë Zotit qendroja mirë financiarisht. Unë punoja si stomatolog në institucionin shtetëror dhe në klinikën time private. Në Kosovë ka qenë e vështirë për të depërtuar jashtë. Fillimisht e shikoja stërvitjen e Milotit si një hobi. Ai kënaqej me futbollin, ndërsa unë për djalin tim.

A e ke përkrahur gjithmonë djalin tënd për të vazhduar me futbollin, apo je munduar ndonjëherë t’i ndryshosh mendimin?

E ka pasur gjithmonë përkrahjen time. Megjithatë, kusht për të vazhduar futbollin ka pasur mësimin në shkollë, për të qenë i mrekullueshëm me nota. I kam treguar se nëse ngec në mësime, atëherë nuk do ta lejoja që të vazhdonte futbollin. Sa i përket orientimit, dëshiroja të vazhdonte profesionin tim, e kam dërguar në fakultetin e stomatologjisë.

Rashica dhe festimi i tij me shqiponjë është një përsëritje e herëpashershme. Kaq shumë me frymë kombëtare është rritur Miloti?

Ne jemi një familje që kemi vuajtur shumë për atdheun tonë, Shqipërinë. Kemi qenë të izoluar nga sistemi jugosllav dhe ishim si të padëshirueshëm për ish-Jugosllavinë. Xhaxhai im, Zeqir Rashica ka qenë drejtori i një reparti në Trepçë, por edhe kryetar i sindikatës së minierave në Kosovë. Ai gjithashtu ka qenë formuesi i grupit të parë të partisë, që bëri kundërshtimin për ndarjen e Kosovës nga Shqipëria. Ka vuajtur 18 vite në burgjet serbe, ndërsa në 1963 arratiset në Shqipëri. As atje nuk e pritën me lule, por në kampet e internimit. Familja Rashica e xhaxhait jeton në Elbasan. Babai im ka qenë në shkollën e gazetarisë dhe me futjen në burg të xhaxhait, është detyruar të punoj në minierë. Gjithmonë bisedat i kemi bërë vetëm për Shqipërinë, prandaj Miloti e ka të trashëguar këtë dashuri nga familja e tij.

Mediat e japin karakterin e djalit tuaj paksa jo të mirë, teksa gjithmonë shfryn nëse lihet në stol. E ardhur nga fëmijëra kjo, do gjithmonë të jetë protagonist?

Mediat kanë punën e tyre. Karakteri i Milotit është i fortë, sepse ai kërkon gjithmonë e më shumë nga vetja. Është djalë i qetë dhe se duron padrejtësinë. Megjithatë, më duhet të them se mediat po i ekzagjerojnë gjërat për përfitimet e veta. Nuk është e vërtet se Rashica kundërshton gjithmonë në atë mënyrë sesi mediat i shprehin. Ai e do punën e tij dhe është një djalosh i pjekur.

Si po shkon aventura e Rashicës në Gjermani? Problemi më i madh me të cilin është përballur?

Në Gjermani gjërat po shkojnë shumë mirë. Atë e duan dhe e respektojnë shumë, sidomos trajneri edhe kryesia e klubit. Miloti ka pasur një problem shëndetësor, gripal, që kur u largua nga Kosova. Prandaj nuk ka arritur të jap maksimumin e tij në klubin e Verderit. Konkurenca është e fortë, por tashmë gjithçka po normalizohet dhe Miloti do të jetë atje ku e ka vendin në fushën e lojës.

Mbrojtëset te takat e futbollit, Miloti i ka pasur gjithmonë me dy flamuj, atë të Kosovës dhe Shqipërisë. Një mesazh bashkues që mund të vijë nga ana juaj në këtë moment?

Unë mbrojtëset ia kam parë më dy flamuj në rrjetet sociale. Pra ka qenë zgjedhje e tij dhe jo e imponuar. Jam gëzuar shumë të them të drejtën, djali im e ka Shqipërinë në zemër. Kosovën e do sepse është rritur dhe lindur atje. Fati e ka dashur të jetë kështu, por ndarja nga kombëtarja shqiptare ka qenë shumë e rëndë për gjithë familjen. Djali im ishte i pari që ka dal nga brumi i Kosovës ku është rritur dhe zhvilluar në vendin e tij, e jo nëpër shtete të tjera. E kishte detyrim që t’i jepte Kosovës kontributin me pranimin në UEFA. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top