You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Lakti: Nuk heq dorë nga Fiorentina, Shqipëria duhet të jetë më “e keqe”

Ekskluzive/ Lakti: Nuk heq dorë nga Fiorentina, Shqipëria duhet të jetë më “e keqe”

Flasim për një nga futbollistët më premtues të Shqipërisë, që vjen nga grupi i futbollistëve të drejtuar nga ana e Erion Bogdanit. Erald Lakti ishte pjesë e kuqezinjve U-19, në ato tre takime të zhvilluara së fundmi, për kualifikueset e europianit.

Lakti është prej vitesh pjesë e të rinjëve të Fiorentinës, ndërsa atje i është besuar edhe shiriti i kapitenit. Mesfushori 18-vjeçar është padyshim një nga elementet që mund t’i shërbej edhe Kombëtares A, në një periudhë kohe më të vonë, duke parë cilësitë që ai zotëron.

Në një intervistë për “Shqiperia.ch”, Lakti tregon se nuk do të heq dorë nga “lufta” për të qenë pjesë e klubit të parë të Fiorentinës, ndërsa ka folur edhe për Shqipërinë.

Si po të shkon eksperienca me të rinjtë e Fiorentinës dhe sa shumë ke përfituar nga përgjegjësia e shiritit të kapitenit?

Eksperienca me të rinjtë e Fiorentinës po shkon shumë mirë, tashmë Fiorentina është si një familje e dytë për mua, sepse ky vit është i dhjeti me fanellën vjollcë. Jam shume i lumtur dhe i nderuar për këtë gjë. Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi e madhe dhe duhet të jem shembulli për të gjithë si jashtë dhe brenda fushe.

Cili është objektivi yt primar, për të përfunduar në ekipin e parë të Fiorentinës apo një largim i mundshëm në një skuadër tjetër?

Objektivi im personal është të shkoj në ekipin e parë të Fiorentinës, ndërsa konkurrenca është e lartë dhe nevojitet të punohet shumë për të arritur atje ku kërkohet.

Për të mbërritur te ndeshjet e Shqipërisë U-19. Çfarë ka shkuar keq, a ishte vetëm fati penalizuesi më i madh i kësaj skuadre për ato tre humbje të pësuara?

Me Kombëtaren U-19 kemi bërë 3 prezantime të rëndësishme, sipas meje më të mirat se në ndeshjet e fundit. Kemi krijuar shumë raste për gol dhe kemi qenë shumë pak “të këqinj” para porte, diçka kjo që bën diferencën në futboll. Megjithatë edhe fati nuk ka qenë në anën tonë.

E mendon ndonjëherë veten në një periudhë të afërt me fanellën e Shqipërisë së parë, apo ia lë gjithçka kohës dhe je me këmbë në tokë?

Mbi këtë fakt jam me këmbë në tokë, sepse sipas meje është ende shpejt për të menduar për Kombetaren A. Duhet të vazhdoj të punoj gjatë çdo dite siç jam duke bërë dhe dalëngadalë gjithçka do të vijë. Per mua do të jetë një nder i madh.

 Si të duken diferencat e futbollit dhe kushtet në Shqipëri me ato që je mësuar në Itali?

Sinqerisht nuk e di se cilat janë kushtet futbollistike në Shqipëri, por di vetëm që në Itali, mbi të gjitha te Fiorentina nuk mungon asgjë. Niveli këtu në Itali është shumë i lartë dhe në çdo ekip ka një konkurrencë shumë të madhe dhe është shumë e veshtirë të gjesh hapesirë për të luajtur. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top