You are here
Home > Futboll Bota > Ekskluzive/ E mori klubi holandez, Loshi qetëson tifozët: I përkas vetëm Shqipërisë!

Ekskluzive/ E mori klubi holandez, Loshi qetëson tifozët: I përkas vetëm Shqipërisë!

Një moment i rëndësishëm për karrierën e talentit shqiptar, Skënder Loshi. Pasi po kalonte një formë fantastike me të rinjtë e Nac Bredës, duke shënuar 3 gola në 6 ndeshje, ka ardhur edhe ftesa e ekipit të parë për këtë lojtar.

Trajneri i holandezëve i ka thënë Loshit të bëj valixhet gati, për të shkuar në Spanjë së bashku me ekipin e parë, për të përgatitur vazhdimin e kampionatit. Më parë ky lojtar iu bashkua Shqipërisë së Alban Bushit, duke ngrohur jo pak zemrat e tifozëve për zgjedhjen e bërë.

Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, nga grumbullimi në Spanjë ku ndodhet me ekipin e tij, sulmuesi shqiptar i ka qetësuar tifozët duke qenë i bindur për zgjedhjen e Kombëtares.

Teksa përgatiteshe për të rinjtë, vjen udhëtimi i papritur në Spanjë me ekipin e parë të Nac Bredas. Mendimi i parë?

Normalisht që jam gëzuar shumë. Kjo pasi më është shpërblyer puna ime 10-vjeçare në Nac Breda. Familja gjithashtu e ka përjetuar shumë këtë ftesë që më ka ardhur nga klubi holandez.

Si kanë qenë komunikimet me trajnerin e skuadrës? Do të jesh pjesë e projektit të skuadrës së parë në vazhdimin e sezonit?

Kam biseduar pak me trajnerin e ekipit të parë, gjatë kohës që jemi duke u stërvitur në Spanjë për vazhdimin e kampionatit. Na duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje e si do të vijojnë gjërat.

Ftesa e Shqipërisë U-21. Kishe shumë dyshime për ta pranuar?

Kam pasur kontakte që nga fillimi me njerëzit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo ishte arsyeja që më bëri të vendos për kuqezinjtë.

A e ke ndjekur kombëtaren shqiptare edhe më parë nga stadiumi?

Gjithmonë më është dashur ta ndjek nga largësia fatkeqësisht. Nuk kam pasur mundësi ta ndjek nga afër në stadium.

Tashmë me ekipin e parë të Nac Bredës. I qetësojmë tifozët shqiptarë duke i premtuar besnikëri deri në fund,apo ka ende dyshime rreth zgjedhjes së Kombëtares?

E thashë edhe më parë e më duhet ta përsëris. Unë e ndiej veten shqiptar dhe prandaj zgjodha të jem pjesë e kësaj Kombëtares tonë.

Ëndrra më e madhe, deri ku e sheh veten në të ardhmen?

Duke luajtur në ligat më prestigjoze në Europë. Ato që do të veçoja, do të ishte mes “Premier League” dhe “La Liga”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera

Leave a Reply

Top