You are here
Home > Kombëtarja U-19 > Editorial/ “Talente me shumicë te kuqezinjtë, trajneri Biturku i befason të gjithë”

Editorial/ “Talente me shumicë te kuqezinjtë, trajneri Biturku i befason të gjithë”

Sindrit Guri, Kristal Abazaj, Myrto Uzuni apo me përpara edhe Balaj apo Roshi dhe Sadiku janë produkte “bio” të kampionatit shqiptar që sot po mbajnë edhe një peshë të madhe në kombëtare. Por duket se kampionati ynë do vijojë të ofrojë elementë cilësorë për të ardhmen e futbollit dhe kombëtares kuqezi. Dhe pikërisht duket se kjo shpresë vjen nga kombëtarja U-20 e Shqipërisë.

Kjo grupmoshë pati një grumbullim një javor së fundmi ku edhe luajti tre miqësore. Në testin e parë u mund 1-0 nga U-21 e Shqipërisë, në ndeshjen e dytë u ndal në një barazim 1-1 kundër Besës dhe në takimin e tretë fitoi 3-2 kundër Teutes. Ekipi i drejtuar nga një figurë e mirënjohur e futbollit tonë , Ilir Biturku , ka dhënë shumë shenja pozitive me lojtarët që ka në përbërje ku spikasin elementët e kampionatit tonë. Biturku si trajner i parë me një eksperiencë të jashtëzakonshme sidomos në futbollin e moshave duket se ka gjetur edhe stafin e përshtatshëm me zëvendësin e tij Olsi Uku dhe trajnerin e portierave , Dritan Kristidhi për të ndërtuar një ekip me të vërtetë simpatik duke iu dhënë një përkrahje talenteve që luajnë në vendin tonë.

Por kush janë ata që duket se në të ardhmen mund të nderojnë fanellën kuqezi? Duke filluar nga porta ku spikat Kristi Qarri. Djaloshi nga Shkodra që aktivizohet te të rinjtë e Vllaznisë shikohet si një element i prespektivës dhe shumë shpejt do e shohim në një ekip të parë. Një koleg i tij si te Vllaznia ashtu edhe te kombëtarja është edhe Elmir Lekaj. I shumë vlerësuar për luftën sportive dhe grintën që e karakterizon. Te kuqeblutë duhet që ta afrojnë sa më shpejt në ekip të parë për të mos e parë tek largohet si shumë të tjerë.

Tirana ka përfaqësuesit e vet në kombëtare gjithashtu dhe që premtojnë shumë për të ardhmen. Marsel Ismajlgeci dhe Jurgen Çelhaka janë krenaria bardheblu. I pari si mbrojtës i majtë dhe i dyti si një mesfushor që i pëlqen të luajë me topin janë elementë të rëndësishëm të ekipit të Biturkut. Të dy kanë debutuar me 24 herë kampionët në Kategorinë e Parë, por ende jo në Superligë dhe duke parë performancat e tyre me siguri shumë shpejt do dëgjoni të flitet për ta.

Kavaja është një qytet që i ka dhuruar shpesh futbollistë klasi kombëtares sonë. Përjashtim nuk bën as Tedi Cara. Kapiteni i ekipit është një ndër elementët më të spikatur. Me driblime, shpejtësi dhe goditje është një rrezik konstant për kundërshtarin. Sigurisht ai është një element i rëndësishëm për Besen këtë sezon, por në të ardhmen patjetër që do e shohim në nivele shumë më të larta.

Skënderbeu në vitet e fundit ka qenë një superfuqi në futbollin tonë dhe duket se tashmë po dhuron edhe talente. Jorgo Pëllumbi në rolin e mbrojtësit dhe Dean Liço në atë të mesfushorit janë dy pika kyçe të formacionit kuqezi. I pari së fundmi po aktivizohet si titullar me korçarët ndërsa Liço prej fillimit të këtij sezoni është pjesë e Sporting Lisbonë në Portugali. Dy lojtarë që japin garanci për të ardhmen.

Elementët që vijnë nga kampionati ynë janë të shumtë dhe cilësorë duke mos harruar sulmuesit Aldrit Oshafi dhe Mehdi Çoba, mesfushorët Eridon Qardaku dhe Esli Sala si edhe Enes Isufin që në vazhdimësi kanë qenë protagonistë me paraqitje shumë pozitive.

Biturku duke qenë një njohës i mirë i kampionatit dhe elementëve në futbollin tonë iu ka dhënë besimin e duhur këtyre djemve. Ai së bashku me stafin e tij kanë bërë një punë kolosale duke mos harruar askënd e duke vlerësuar këdo nga veriu në jug. Një shembull për të gjithë se talentet mund ti gjesh edhe në Shqipëri duke mos pasur nevojë të shkosh në Suedi apo Norvegji për ti kërkuar. Një pasqyrë që edhe në vendin dhe në futbollin plot me halle në Shqipëri mund të gjesh një Balaj, Roshi apo Sadiku të ri.

(Shkrimi i gazetarit Endri Çinari dhënë për “Shqiperia.ch”)

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top