De Biazi me skemë të re, preferon Shqipëri sulmuese

Ndonëse në pankinë vendimet i atribuo hen trajnerit, krahu i tij i djathtë ka shumë për të bërë dhe ka një rol thelbësor në Kombëtaren shqiptare. Paolo Tramexani, në një intervistë për “Panorama Sport”, shpjegon skemat e përdorura gjatë sfidës së parë kualifikuese me Maqedoninë, duke arsyetuar edhe se si kanë ardhur ato vendime nga trajneri dhe stafi i tij.

tramezani

Tramexani tregon mënyrën se si është përgatitur ekipi për një ndeshje që ka zgjatur 48 orë dhe prapaskenat e diskutimeve mes palëve për vendimin në lidhje me vazhdimin e ndeshjes. Sipas numrit dy të pankinës së Kombëtares kuqezi, Shqipëria është disa herë më e rrezikshme në rast se do të përdorë skemën 3-5-2, jo vetëm në situatat mbrojtëse, por edhe në ato sulmuese.

Tekniku shpjegon përgatitjet për skuadrën gjatë natës dhe mënyrën si u motivuan futbollistët për të zbritur në fushë me mentalitetin e duhur për 15 minutat e mbetura të lojës. Paolo Tramexani tregon sekretin e një skeme të re dhe arsyen pse Shqipëria u pa të bënte disa sjellje në 90-minutëshin e zhvilluar në sfidën e parë kualifikuese kundër Maqedonisë.

A ju kishte ndodhur më parë që një ndeshje ta zhvillonit në dy ditë, qoftë edhe si futbollist?

Jo, është hera e parë në karrierë që më ndodh të ndërpritet ndeshja e të rifillojë në ditën tjetër.

Shqipëria ka bërë një paraqitje disi të çuditshme. Shënoi shpejt, më pas sikur “fjeti” në fushë. Pse mendoni se ndodhi kjo?

Mendoj që ishte një sfidë shumë e vështirë, për disa arsye. Njëra prej tyre është fakti që ishte sfida e parë e fushatës së re kualifikuese, e cila ka gjithmonë disa vështirësi ekstra. Mendoj që kjo na ndodhi edhe ne. Është kompeticion i ri, ishte ndeshja e parë në stadium të ri dhe përpara tifozëve tanë të shumtë, si dhe donim patjetër të merrnim tri pikët, që ishte edhe gjëja më e rëndësishme.

Edhe pse e dinim që nuk ishte aspak e lehtë, ashtu siç rezultoi. Në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë, duke arritur ta zhbllokonim rezultatin shumë shpejt. Pastaj provuam që ta administronim atë. Por me kalimin e minutave, nuk po gjenim shumë hapësira për të dalë në lojën tonë të shpejtë.

Në pjesën e dytë, ndeshja ndryshoi në mënyrë të çuditshme dhe ata e merituan barazimin, pasi na vunë në vështirësi në disa momente. Sigurisht që edhe në këtë rast ka vend për të gjetur gjëra pozitive, pasi u rikthyem në ndeshje.

Gjetëm forcën, dëshirën dhe rrugën për ta bërë atë. Futbolli na mëson që mund të fitosh falë grupit dhe djemtë e treguan këtë gjë përballë Maqedonisë, që mund të arrijnë gjëra të mëdha duke dhënë shpirtin në fushë.

Për të bërë një shpjegim taktik. Nisëm të luanim me 4-5-1 dhe më pas me 3-5-2…

Kjo ishte nga të paktat ndeshje të Maqedonisë, të cilën kishin vendosur ta luanin me modulin 5-3-2 ose 5-3-1-1 dhe na linte neve detyrën që të përshtateshim me modelin e tyre, për shkak se presioni ishte mbi ne në këtë sfidë. Donim ta çonim ndeshjen në atë mënyrë që të kishim duele individuale në fushë, pasi e dinim që kemi lojtarë më të fortë.

Për këtë fakt, mendoj se në pjesën e parë kishim ekuilibër taktik, gjë e cila, çuditërisht, na mungoi në pjesën e dytë. Lojën me modulin 3-5-2 e kishim provuar edhe në pjesën e dytë ndaj Marokut. Është një skemë që mund të na ndihmojë gjatë gjithë kohës, duke bërë lëvizje taktike në fushë edhe pa ndryshuar lojtarët që kemi aktivizuar nga fillimi.

tramezani

Mund të na shërbejë për të bërë një futboll tjetër, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues. Pastaj, kur ndeshja shkoi në atë mënyrë, pra kur ishim barazim dhe nuk po kalonim në avantazh, aktivizuam një tjetër sulmues për t’i dhënë më shumë frymëmarrje ekipit.

Por në 15 minutat e fundit, u rikthyem të luanim me katër mbrojtës dhe djemtë e mbuluan me më shumë lehtësi zonën tonë. Skuadra e njeh mjaft mirë këtë lojë me katër në prapavijë sepse kështu kemi luajtur gjithmonë, prandaj edhe ekipi ishte më efikas në 15 minutat e fundit.

A mendoni se ishte efektiv ndryshimi i modulit?

E bëmë sepse e dinim forcën e tyre në aspektin sulmues. Kanë dy lojtarë krahësh dhe dy qendrorë, si Pandev e Alioski, që mund të na vinin në vështirësi. Janë lojtarë që krijojnë gjatë ndeshjes dhe nuk është e lehtë t’i përballosh. Kanë gjithashtu shpejtësi në lojë dhe në veprime.

Në këtë mënyrë, ne vendosëm që të luanim me tre qendërmbrojtës dhe dy lojtarë nga krahët që mund t’i mbulonim më lehtësisht. Diskutimi mbi skemën e zgjedhur nuk duhet të mbesë vetëm në faktin që donim të mbroheshim, pasi me anë të kësaj ne donim edhe që të sulmonim më shumë.

Kjo u pa edhe në 15 minutat e fundit, ku kundërshtari pati vetëm një rast, ndërsa ne, përveç atij të golit, dolëm disa herë përpara portës së tyre. Patëm një rast interesant me Sadikun dhe një tjetër kundërsulm me Memushajn që nxori sulmuesin tonë përballë portës.

Çfarë ndodhi pas ndërprerjes së ndeshjes? Çfarë u diskutua dhe cilat ishin kërkesat mes palëve?

Ndodhi një takim mes dy federatave dhe UEFA-s. Ne donim të luanim menjëherë, por edhe ata donin të luanin gjithashtu. Orari i sugjeruar nga UEFA ishte në mesditë, ose në orën 4 pasdite, pastaj u arrit gjuha e përbashkët për të luajtur në orën 14:00.

Skuadra donte të zbriste menjëherë në fushën e lojës për ta fituar ndeshjen, por mendoj se fakti që sfida u shty na ndihmoi për të marrë maksimumin nga futbollistët. Ata u karikuan shumë dhe zbritën në fushë me shpirtin e duhur për të marrë 3 pikët.

De Biazi deklaroi se kishte fjetur shumë pak. Ju?

Nuk fjetëm shumë. Sapo u kthyem në hotel, vendosëm të shihnim sërish ndeshjen e luajtur, pra ato 75 minuta. Duhej të punonim për të përgatitur sa më mirë ato 15 minuta që na kishin mbetur, duke analizuar edhe shpenzimin e energjisë nga futbollistët tanë. Pamë kush ishte më i lodhur, kush kishte shqetësime fizike, kush kishte marrë ndonjë goditje dhe realisht fjetëm shumë pak.

Tifozët donin fitoren, por ju trajnerët (profesionistët) e dinit që do të luheshin realisht vetëm 7 apo 8 minuta në ato 15 të mbetura. Sa besim kishit se mund të arrihej me të vërtetë fitorja?

Tifozët tanë donin të fitonin këtë ndeshje, ashtu siç donte edhe skuadra. Megjithatë duhet të mendojmë edhe për kundërshtarin që kemi në fushën e lojës. Nuk ka më rivalë të lehtë, prandaj duhet të bëjmë kujdes. Ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe kjo na ka ndihmuar gjatë këtyre viteve për të arritur suk

Sapo përfundoi ndeshja, duket sikur “debatuat” me Xhakën. Çfarë i thatë?

Pas ndeshjes pata mundësinë për të folur me të gjithë lojtarët. Ndërkohë ata që ishin në pankinë mundoheshin të motivonin ata që ishin në fushë. Kjo tregon shpirtin dhe lidhjen e fortë që ekziston mes futbollistëve të Kombëtares.

Është një raport që shkon më tej se raporti mes zëvendëstrajnerit dhe futbollistit. Ne kemi një raport shumë të bukur me lojtarët dhe shkova te Xhaka, sepse ai bëri një ndeshje shumë të mirë dhe ishte një nga lojtarët kryesorë që na ndihmoi për të arritur fitoren.

OLSI TUJANI/Panorama Sport

About the author