You are here
Home > Kombëtarja > Cana i së ardhmes/ Seferi mesazh të fortë për “Shqipëria.ch”: Mos të shitemi për para, do të ndjek hapat e Lorikut

Cana i së ardhmes/ Seferi mesazh të fortë për “Shqipëria.ch”: Mos të shitemi për para, do të ndjek hapat e Lorikut

Shqipëria po e ndien shumë mungesën e një kapiteni si Lorik Cana. Ndoshta në aftësitë e një mbrojtësi, Loriku ka qenë i zëvendësuar prej kohësh te Kombëtarja, por nëse flasim për udhëheqjen në fushën e lojës, kuqezinjtë kanë një hendek të madh aktualisht.

Shpresë ka tek të rinjtë, ndërsa një futbollist me karakter e histori të ngjashme me Lorik Canën, ndodhet te futbollistët e drejtuar nga Bushi. E keni dëgjuar shpeshherë, Taulant Seferi quhet dhe është një patriot e talent, nga ata 24-karat të pastër.

Në një intervistë për “Shqipëria.ch”, Seferi u ka bërë thirrje të gjithë futbollistëve, të mos shiten për para, sepse mund të kenë shumë përfaqësuese, por Kombi është një dhe i vetëm, Shqipëria. Sa i përket Kumanovës? Ajo është realitet se është tokë shqiptare…

Si po shkon karriera jote në aspektin personal dhe çfarë pritshmërish ke nga ky sezon i ri te Winterthur?

Sezonin e kam filluar në mënyrën më të mirë, pasi kam shënuar që në ndeshjen e parë. Tani shpresoj të kem vazhdimësi, në shënimin e golave. Por kërkojmë edhe suksesin për ekipin, që këtë sezon ka për objektiv të hyjë në elitën e futbollit zviceran. Ngelet vetëm të punojmë dhe të përpiqemi t’i përmbahemi misonit tonë.

Shqipërisë A i mungon një kapiten si Lorik Cana, por Shpresat nuk shqetësohen, sepse kanë Seferin. Historia e karriera jote ngjason me kapitenin legjendar. A e kemi gjetur zëvendësuesin ideal të kapitenit legjendar, me ty së shpejti në ekipin e Panuçit?

Shqipërisë i mungon një lider dhe kapiten si Lorik Cana. Shpresoj që së shpejti kuqezinjtë ta kenë një kapiten të tillë. Unë kam dhënë maksimumin edhe kur kam luajtur me Shpresat. Dëshirë e madhe do të ishte të vazhdoja hapat e Lorik Canës. Pak a shumë historia jonë është e njëjtë me kapitenin legjendar të Shqipërisë. Do të ishte e mrekullueshme të isha si Cana për tifozët shqiptarë.

Një humbje ndaj Spanjës me Shpresat tona, ku më shumë se rezultati, shije të hidhur la loja e kuqezinjve, me vetëm 1 gjuajtje në portë. Kaq të mëdha janë diferencat?

Konstatimi i drejtë ky, sepse kemi luajtur shumë në mbrojtje ndaj Spanjës. Ai ka qenë difekt i joni, sepse në asnjë moment nuk kemi dalë në sulm. Megjithatë të gjithë e dinë se Spanja është një kundërshtar i fortë dhe udhëheq botën në futboll. Por kjo nuk do të thotë asgjë, ne kemi luajtur dobët në atë ndeshje.

 Për të kaluar tek ai takim me Italinë dhe fundi dramatik. Si i komenton ato minuta të fundit të ndeshjes?

Ndaj Italisë e kanë parë të gjithë se ne e kemi dominuar ndeshjen. Shumë raste të humbura dhe mungesë fati për të shënuar në portën kundërshtare. Ishte një reagim i mirë pas asaj loje të dobët me Spanjën. Jemi një ekip i fortë, por ato minuta të fundit u shpërbëm sepse menduam se e arritëm rezultatin pozitiv.

Te Shpresat tona flitet gjithmonë pas ndeshjeve të humbura, se e rëndësishme është eksperienca e marrë. Po pikët, kur do të jenë primare?

E drejtë kjo, sepse ne shqiptarët gjithmonë pas ndeshjes themi se ishte eksperiencë e bukur. Megjithëse ndaj Spanjës mund të quhet e tillë, ne duhet të fillojmë të mendojmë pikët dhe kualifikimin. Nuk duhet të flasim vetëm për eksperiencë, por të mendojmë edhe kualifikimin. Lojtarët dhe harmoninë e grupit e kemi, kjo gjë duhet pretenduar.

 Gjithmonë ke qenë një nga futbollistët e rinj më të pëlqyer nga shqiptarët, edhe për atë që jep jashtë fushës së blertë. “Kumanova është Shqipëri”, ishte një nga fanellat që ti mbaje në dhomat e zhveshjes me Shqipërinë. Nuk ke frikë se diçka e tille do të dëmtonte karrierën?

Atë fanellë që kam veshur në dhomat e zhveshjes, nuk e kam pasur fyerje për askënd. Unë kam treguar realitetin të tillë, sepse ai që e ndien veten shqiptar është i të njëjtit mendim.

Për të kaluar te momenti kulminant dhe foto më e përhapur ndër tifozët, ajo e mesazhit tënd se asnjëherë nuk duhet të shitesh për frank e dollar dhe nuk duhet harruar fakti i të qënit shqiptar. Kaq shumë e ndien këtë temë?

Sigurisht, jam rritur në familje me frymë Kombëtare. Unë stërgjyshin tim e kam dëshmor të kombit. Unë gjithmonë do e them se nuk duhet të shitemi për para, për franka e dollar. Nuk duhet ta harrojmë që jemi shqiptar. E kam thënë këtë dhe e përsëris, jam krenar për këtë gjë.

 Një mesazh për lojtarët që largohen nga kombëtarja shqiptare?

Nuk mund t’i komentoj lojtarët e tjerë, sepse është vendimi i tyre. Megjithatë mund t’i them se nuk duhen të largohen nga Shqipëria, sepse ne mund të kemi shumë përfaqësuese, por jemi vetëm një KOMB. /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top