Caktohet gjyqtari për ndeshjen “Maqedoni-Shqipëri”

Përballja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk do ti shërbejë kuqezinjve për të siguruar një vend në Kupën e Botës “Rusi 2018”, por gjithsesi është mjaft e rëndësishme përsa i përket pozicionimit në vendin e 3-të.
Takimi që do të zhvillohet më datë 5 Shtator në stadiumin “Mladost” të Strumnicës pritet të jetë mjaft i ndezur edhe për shkak të qytetit ku do të zhvillohet, një qytet jo shumë dashamirës kundrejt shqiptarëve.

Në kuadër të kësaj sfide FIFA natyrisht nëpërmjet UEFA-s ka përcaktuar edhe gjyqtarin e takimit që do të jetë Jonas Eriksson. Suedezi është një ndër arbitrat me më shumë përvojë në kontinentin e vjetër.

 Ai është listuar si gjyqtarë profesionist që në vitin 1994, ndërsa në 2002-in ka përfituar stemën e gjyqtarit ndërkombëtar nga FIFA.

43 vjeçari ka gjykuar ndër të tjera finalen e superkupës së Europës mes Chelseat dhe Bayern Munchen në vitin 2013, teksa ka qënë pjesë e listës së arbitrave në Europianin e 2012-ës, në Kupën e Botës Brazil 2014 dhe gjithashtu edhe në kampionatin europian që u mbajt vitin e kaluar në Francë.

Edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve vendosi drejtësi në takimin e parë çerek-final mes Atleticos së Madridit dhe Leicester City-t. Në vitin 2016 prodhoi shumë polemika gjykimi i tij në ndeshjen e Champions League Bajern Mynih-Juventus e cila përfundoi 4-2 duke kualifikuar gjermanët.

Jonas Eriksson është një biznesmen dhe shitja e 15% të aksioneve që zotëronte në një kompani televizive i solli rreth 8 milion euro fitim, teksa aktualisht pasuria e tij llogaritet të jetë 13 milion euro, pra një gjyqtar milioner për kombëtaren shqiptare.

About the author

GALERIA