Bogdani nën hetim, ish-bomberi: Jam i pastër

Prokuroria italiane vazhdon të hetojë mbi shkeljet e ndryshme që janë bërë në futbollin italian. Raporti i fundit i publikuar lidhet me 14 skuadra që kanë shkelur kodin e drejtësisë sportive dhe rregulloren e menaxherëve të futbollit.

Në total janë 64 emra që po hetohen mes tyre menaxherë dhe futbollistë, ku në këtë listë të gjatë bie në sy menaxheri i famshëm Alessandro Moggi, i biri i Luciano Moggit i cili ka qenë menaxher edhe i Erion Bogdanit, ish-futbollisti i Reginës, Chievos, Cesenës, Sienës apo edhe i kombëtares sonë.

Në një intervistë për Top Channel, ish-bomberi kuqezi dhe aktualisht ndihmës i De Biasit në stolin e përfaqësueses A sqaron gjithçka.

“Nuk jam në dijeni të kësaj gjëje, megjithatë e di që jam i pastër sepse kontratat e mia i ka bërë menaxheri im. Unë kam qenë futbollist dhe dija vetëm të luaja futboll”, thotë Bogdani.

Rreth 10 vite më parë kur Italinë e përfshiu skandali i trukimit të ndeshjeve, me përfshirje e një sërë lojtarësh e menaxherësh, Erion Bogdani ka deponuar në prokurori, për lidhjet e tij me menaxherin Moggi dhe kontratat e firmosura.

“Ka qenë ai ‘Skandali i Moggit’ dhe më kanë thërritur në prokurori dhe iu jam përgjigjur të gjitha pyetjeve”, vijoi ish-futbollisti i kombëtares.

/ Top Channel

About the author