Berisha si Donaruma dhe Nojer, pesë ndeshje pa pësuar!

Atalanta fluturon në vend të katërt, ndërsa portieri këtë sezon e ka mbajtur të paprekur rrjetën e bergamaskëve për 450 minuta. Vetëm Kurtua më mirë: plot 7 ndeshje pa gol

Hirushja e Serisë A? Për momentin, këpuca e humbur i takon Atalantës së “magjistarit” Gasperini. Bergamaskët, nën flatrat e entuziazmit, tashmë janë në vend të katërt në renditjen e kampionatit, pasi dje kanë mundur Sasuolon në fushën e emilianëve, duke treguar se asgjë nuk vjen rastësisht. Sepse, ndryshe është të fitosh 0-1 dhe ndryshe 0-3. Suksesi i katërt radhazi, i gjashti në shtatë ndeshjet e fundit. Sezoni i fundit kur zikaltërit ishin parë kaq lart në renditje është 2000/2001, pra plot 15 vjet më parë. Meritë e grupit, jo individëve, por edhe e portierit Etrit Berisha, i cili siç duket ka bërë zgjedhjen më të duhur të karrierës, duke lënë Lacion dhe udhëtuar drejt Bergamos, aty ku është bërë titullar i padiskutuar, në vend të Sportielos, që shihet si e ardhmja e Italisë.

Megjithatë, pasditja e djeshme, përtej fitores 3-0 në “Mapei Stadium” , nuk ka qenë pozitive për gardianin shqiptar, që ka mbajtur portën e paprekur, por sepse kundërshtari dy herë ka goditur traversën dhe njëherë ka parë t’i bëhet padrejtësi, për një penallti të mohuar. Pikërisht ndërhyrja e portierit shqiptar ndaj Defrel ishte 11-të metërsh, por arbitri Mareska u tregua “zemërgjërë” në këtë rast, duke i dhënë një kënaqësi të madhe Titit. Sepse, me ndeshjen Sasuolo-Atalanta 0-3 bëhen pesë takime pa pësuar gol dhe plot 450 minuta për portierin kuqezi. Më mirë se një “përbindësh” si Bufon, teksa njësoj si Donaruma i Milanit, Nojer i Bajern Mynihut dhe Lopez i Lionit, duke marrë këtu kampionate si Gjermania dhe Franca. Sepse,në Premier, Kurtua nuk ka pësuar gol në shtatë ndeshje këtë sezon. Ndoshta, shënjestra e rradhës do të jetë belgu për prishtinasin, që në fund të sezonit do të kërkojë qëndrimin në “tokën e premtuar”, aty ku rigjeti veten…

Anton Cicani

About the author