Baric refuzon ftesen e Shqiperise

image

Ka marrë tre ftesa për të qenë i pranishëm në ndeshjet e Euro 2016, por Otto Baric i ka refuzuar që të treja. Ish trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, i ftuar nga Kroacia, Austria por edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka pranuar të udhëtojë në vendin ku do të zhvillohet evenimenti më prestigjoz i futbollit europian. I intervistuar nga gazeta “Jurtanji Sport” thekson: “Nuk dua të shkoj në Kampionatin Europian por i kam falënderuar të treja federatat për ftesat. Kam frikë se mund të ndodhë diçka e shëmtuar edhe pse e di që në Francë po i marrin të gjitha masat në mënyrë që stadiumet të jenë të sigurt.

Gjithsesi, unë kam frikë nga terrorizmi”, thekson Bariç, i cili nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen e parë të Kombëtares së Shqipërisë kundër Zvicrës. Rreth dy muaj më parë. Federata Shqiptare e Futbollit publikoi një inisiativë të veçantë për ndeshjen e parë të Euro 2016 kundër Zvicrës. Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar bëri me dije se në stadiumin e Lensit do të rezervohen vende për të gjithë ish lojtarët e Kombëtares Shqiptare që kanë luajtur qoftë edhe një minutë me fanellën kuqezi. Mes të ftuarve figuronte edhe Baric që e ka drejtuar Kombëtaren Shqiptare gjatë viteve 2006-2008.

About the author