Edhe Armando Cungu kundër përfshirjes së politikës në futboll

Armando Cungu është një personazh që në futbollin shqiptar ka fituar goxha simpatizantë. Me Kukësin ka bërë mirë, gjithashtu edhe me Laçin, kurse në Shkodër hasi në vështirësi të mëdha, derisa dha dorëheqjen pas ndeshjes me Kamzën. Në emisionin “Zona Gol” në “Supersport” ai ka folur për situatën e klubeve, veçanërisht për Vllazninë: “Mjafton të shohësh renditjen dhe nuk ka nevojë për komente. Vllaznia është në vështirësi, megjithëse falë ndryshimeve që bëri Partizani, Vllaznisë iu krijua mundësia për të kapur individë të rëndësishëm.

Mund të jenë edhe Teuta e Luftëtari, fundi i tabelës është i ndërlikuar”. Ofertat për Cungun janë një tjetër temë: “Si futbollist kam pasur oferta dhe më ka kërkuar Sulejman Mema te Tirana, por kam preferuar t’i qëndroj besnik Vllaznisë. Jo gjithçka arrihet duke luajtur në Tiranë. Partizani, ofertë si trajner? Ofertë zyrtare asnjëherë, edhe pse interesime e kontakte indirekte ka pasur. Po në janar? Trepça e para, por ishin edhe dy klube të Superiores, më telefonuan drejtuesit e dy klubeve shqiptare. Njëri prej klubeve drejtohet nga një emër i njohur, që ka pasur sukses edhe në Europë. Skënderbeu? Nuk mund të flas për emra të përveçëm. Në janar u takova me Takajn, por ishte edhe presidenti i Trepçës ’89 dhe më ofruan stolin e skuadrës nga Kosova, jo të Skënderbeut, ndonëse ashtu u interpretua ai takim dhe për këtë arsye mora në telefon edhe trajnerin Ilir Daja për ta sqaruar si ishte e vërteta. Kam preferuar të refuzoj ofertat sepse objektivat që kishin klubet që më kontaktuan ishin paksa jashtë realitetit dhe nuk dëshiroja që të nisja punë, të merrja dy rroga dhe ndoshta më pas të braktisja gjithçka, të mos lë gjurmë apo të krijoj polemika”.

Nuk mund të mos flitet për zgjedhjet në FSHF: “Po shoh debate të ashpra, po shoh shumë politikë në brendësi, por them vetëm që duhet të lënë sportin që të punojë i qetë. Nuk mund ta kuptoj pse flitet për gjëra të tilla, burgu, e të tjera, në një kohë që personalitetet e sportit japin gjithçka për ta çuar futbollin përpara. Politika duhet të ndihmojë futbollin si e ka ndihmuar deri tani, me investime, por është e papranueshme që të tentojë ta zaptojë, ta gllabërojë. Dëgjoj fjalë të rënda, akuza, burg, sulme që i dëgjojmë vetëm në politikë dhe po i transferojnë edhe në sport.

Edhe unë jam pjesë e Shoqatës në Shkodër dhe ne organizojmë kampionatet e fëmijëve çdo javë, është punuar shumë në këtë drejtim dhe ndiqet modeli i sezonit të rregullt të futbollit, duke shpërndarë edhe certifikata e stimuj moralë në fund të çdo sezoni. Janë qindra fëmijë që luajnë futboll çdo javë dhe nuk mund të quhen fantazmë këto shoqata, vetëm për faktin se nuk qenkan të regjistruara në gjykata, sepse puna që bëjnë në futboll është reale dhe e prekshme nga të gjithë”. “Votimi nga kryebashkiakët? Kur janë në hall për menaxhimin e skuadrës, ia lënë në dorë dikujt tjetër se nuk e bëjnë dot vetë. Kur vjen puna për të votuar, vrapojnë për të qenë të parët e klubit, në një kohë që duhet t’ia delegojnë kompetencat dikujt tjetër”./EDS/

About the author